Gjykata e dënon mbasi doli për gjah në Liqenin Artificial dhe vrau një sorkadhe

09/08/2021 15:31

Gjykata e Tiranës shpalli fajtor një 68 vjeçar i cili kishte dalë për gjah në zonën e Liqenit duke vrarë një sorkadhe që përdorej për zbukurim nga një lokal aty pranë.

Burime të gazetares Anila Hoxha pohuan se vendimi u dha nga gjyqtarja Rexhina Merlika që konsideroi se shtetasi G.B. duke qëlluar me çifte në zonën e Liqenit kishte prishur qetësinë dhe kishte vjedhur pasurinë e shtetasit A.L. që ishte as më pak dhe as më shumë sorkadhja e vrarë.

Gjykata vlerësoi sipas Anila Hoxhës se ndonëse mori parasysh ndjesën e të akuzuarit dhe njëherazi edhe kërkesën e tij për mëshirë, në përfundim e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me tetë muaj burgim si dhe e ngarkoi që të paguajë shpenzimet gjyqësore me vlerë prej 3 mijë lekë.

Fashikulli i prokurorit tha Anila Hoxha jep detaje të ngjarjes së rrallë, të një të akuzuari i cili pranon se kishte për gjueti pranë liqenit artificial me qëllimin për të vrarë zogj.

” Rezultoi e provuar se: Në datën 22.12.2020 në Komisariatin e Policisë nr.1 është marrë njoftim se në ambjentet e lokal “F. ” dhe pikërisht afër rrethimit ku qëndron një sorkadhe zbukuruese, qëndronte një person me një armë gjahu në dorë.
Një patrulle policie është afruar në vendngjarje dhe ka konstatuar një person i cili mbante në një thes një kafshë të ngordhur dhe në një thes tjetër një armë gjuetie të markes “Saint-Etiene” me numër serie 08358. Pas komunikimit ky shtetas është prezantuar si shtetasi G.B. Policia Gjyqësore ka kqyrur vendngjarjen ku në pemët e vendngjarjes u gjendën njolla si ato të gjakut.

Menaxheri i lokal “F.” shpjegon se sorkadhja është pronë e lokalit prej 4 vjetësh dhe atë e mbanin në ambjentet e lokalit të tyre për zbukurim.

Është pyetur shtetasi nën akuzë, i cili shpjegoi se në afërsi të liqenit artificial ka vënë re një shpend të llojit “Bajze” dhe ka qëlluar drejt saj me armë zjarri. Më pas ka vënë re një sorkadhe, për të cilën kujtoi se ishte ai autori i goditjes pa dashje të saj, dhe e mori. Ai është shprehur i penduar dhe se deshiron të dëmshpërblejë lokalin e dëmtuar.” nënvizon prokurori i çëshjtes.

Top Channel