FSK niset në Shqipëri/ Ministri kosovar i Mbrojtjes: Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira

09/08/2021 22:22

Një kontingjent i FSK-së është nisur sonte për t’iu ardhur në ndihmë autoriteteve shqiptare në luftimin e zjarreve të shumta që kanë shpërthyer.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook.

“Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejt zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Mehaj.

Bëhet me dije se shërbimeve zjarrfikëse në Kukës, u janë bashkuar 100 forca nga Kosova, prej të cilëve 50 do të operojnë tek zona e quajtur Laku i Thive dhe 50 do të ndërhyjnë tek Qafa e Kumbullës.

Postimi i plotë:

I nisëm trupat tona të FSK-së në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë.

Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë.

Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam marrë siguruar homologun tim , ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.

Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë.

Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona!

FOTO GALERI
2/6

Top Channel