Arbër Çekaj në regjimin “41 bis”? Dy të dënuarit në izolim pas tentativës për arratisje, burgjet shtrëngojnë masat te 313

09/08/2021 15:03
Arbër Çekaj

Kjo është tarraca e përshtatur në zonën e ajrimit për të burgosurit, vendi nga ku Arbër Çekaj dhe shoku i sektorit Fatmir Pjetri zbritën pa asnjë problem teksa bashkëpunëtori i tyre Lulzim Cepele për të tërhequr vëmendjen kishte prerë damarët në qeli.

Mbasi e kishin studiuar vendin dhe kishin fshehur më herët litarët e formuar nga çarçafët e shumtë, dy të burgosurit shfrytëzuan më pas këto shkallë si vendin më afër tokës. Pikërisht aty janë pikasur nga oficeri i policisë së burgjeve, i cili ka dhënë alarmin dhe gjatë përleshjes u qëllua me çengel nga Fatmir Pjetri.

Të burgosurit janë futur përkohësisht në izolim dhe po shikohen provat nëse do të dërgohej apo jo në 41 bis meqenëse të dy kanë akuza të grupit kriminal dhe mund të kenë patur bashkëpunëtor jashtë qelisë.

Çekaj i dënuar me 14 vite burg dhe Pjetri i dënuar me 30 vite burg u ndaluan pak metra larg portës, pikërisht në oborrin mes zyrave të administratës dhe qelive, muret e të cilëve gati 11 vjet më parë u kapërcyen nga i riu Ajet Marku që sfidoi burgjet dhe jetoi në arrati për tre vitet e mëpasshme. Tentativa e dytë e dështuar falë kujdesit të një oficeri ka sjellë një analizë të detajuar në burgje, të cilat po vlerësojnë kushtet e sigurisë në 313, brenda të cilit gjendet edhe 41 bis.

Çekaj dhe Pjetri do të hetohen nga prokuroria e Tiranës për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe goditje për shkak të detyrës së policit, i cili pas kurimit pritet të kthehet në punë.

Top Channel