Zjarre në Voskopojë/ Terren i pakalueshëm nga mjetet, tymi vështirëson punën e zjarrfikësve

08/08/2021 22:08

Një zjarr masiv ka përfshirë pyjet në fshatin Krushovë pranë Voskopojës.

Flakët janë përhapur me shpejtësi duke djegur një sipërfaqe me pisha ndërsa për shkak të terrenit të vështirë dhe dendësisë së këtij pylli, ka qenë e pamundur ndërhyrja e zjarrfikësve.

Tymi i madh nga zjarri ka vënë në vështirësi edhe kapacitetet njerëzore duke e bërë të pamundur ndërhyrjen në terren.

Idriz Kuca, komandant i batalionit shprehet se pasi ka vrojtuar nga afër gjendjen e zonës së përfshirë nga zjarri, është vendosur se nesër në orët e para të mëngjesit në zbardhje të ditës, do të operojnë rreth 100 forca nga strukturat e qarkut të Korçës, të ndarë në drejtime ku zjarri do ketë prioritete në avancim dhe rrezik. Kryesisht do të jenë forcat njerëzore, pasi me mjete është e pamundur për shkak të terrenit të pakalueshëm nga mjetet.

Masivi pyjor prej disa orësh vazhdon të digjet duke rrezikuar të depërtojë edhe më në brendësi të tij ndërsa është kërkuar ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit. Dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme ndërsa edhe dy vite më parë, në po të njëjtën zonë është shënuar një zjarr që ndryshe nga kjo herë nuk shkaktoi dëme të mëdha.

Top Channel