Foto ilustruese

3 shtetas që janë kapur në flagrancë me armë me vete në zonën e Plazhit në Durrës, janë arrestuar sot.

Policia njofton se gjatë kontrolleve në zonën e plazhit, ka ndaluar një mjet tip “Benz” dhe aty kanë gjetur  1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë dhe municion luftarak.

Për pasojë, janë arrestuar 32-v jeçari me iniciale E.Xh., 26-vjeçari me iniciale E.D. dhe 48-vjeçari me iniciale I.D. Të tre do të hetohen për armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera kryesisht në zonën e plazhit për rritjen e parametrave të sigurisë, Policia ka arrestuar 3 shtetas të cilët qarkullonin në automjet me armë zjarri me vete.
Sekuestrohen 2 armë zjarri.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, kryesisht në zonën e Plazhit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës, kanë ndaluar për kontroll një mjet tip “Benz”, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit E. Xh., 32 vjeç, E. D., 26 vjeç dhe I. D., 48 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Top Channel