Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth koncertit të mbrëmshëm në Prishtinë, ku performoi Ramë Lahaj & Friends.

Kurti në një postim në Facebook, duke iu referuar pandemisë me koronavirus, ka shkruar se pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj.

“Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike”, shkruan ai.

Ndryshe, Lahaj e mbylli më herët koncertin, duke njoftuar lajmin për vdekjen e nënës së tij.

Postimi i plotë:

“Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji”.

Në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, Ramë Lahaj&Friends na mblodhën për të na dhuruar emocione rrëqethëse. 13 vepra, 7 performues, një orkestër e tërë.

Filloi me “Bareshën” e Rexho Mulliqit, pastaj “Granada”, “Nemico della patria?!”, “Tacea La Notte Placida… Di Tale Amor”, “La forza del destino”, “Dio, che nell’alma infondere”, “Për ty Atdhe”, “Për mu paska ken kismet”, “E lucevan le stelle”, “Time to say goodbye”, “Non ti scordar di me”, “O moj e bukura Arbëri” dhe “O vendi im”.

Vlera të larta muzikore dëgjuam mbrëmë. Përveç Ramës sonë ishin edhe Simone Piazzola, Lana Kos, Xhelal Bakraqi, Isaneli e Arditi dhe Adhurim Grezda.

Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike.

Top Channel