I vuri zjarrin malit të Gjallicës, vihet në pranga autori i dyshuar. Çfarë iu gjet gjatë arrestimit

08/08/2021 16:16

Një 47-vjeçar është arrestuar nga policia si autor i dyshuar për vënien e zjarrit në malin e Gjallicës. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet një armë zjarri kallashnikov, me dy karikatorë dhe municion luftarak.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Kukës me marrjen e njoftimit se në vendin e quajtur Sasat, në malin e Gjallicës, ka rënë zjarr, menjëherë kanë shkuar në vendin ku kishte rënë zjarr dhe pas disa orësh duke punuar  me mjete rrethanore, kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të zjarrit dhe më pas  shuarjen e tij.

Autori i dyshuar është identifikuar me inicialet E. O.,  47 vjeç, banues në fshatin Nang.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe  municionit luftarak” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë  e Policisë Kukës apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Top Channel