Shkolla dhe rrugë të reja/ Veliaj tregon investimet në njësitë 5 dhe 6 në Tiranë

07/08/2021 15:40

Pas ndërtimit të shkollës së re Murat Toptani në njësinë administrative 5 dhe 6 në Tiranë janë rikonstruktuar edhe dy rrugë, ajo Sabaudin Gabrani dhe Leka i madh të pajisura me sinjalistikën e nevojshme si dhe me rrjet kanalizimesh.

Banoret e këtyre dy rrugëve kanë bashkëpunuar nuk spostuar muret rrethuese për t’i dhënë hapësirë rrugës.

“Veç një shkolle të re, tani kemi edhe infrastrukturë të mirë. Kjo zonë ka qenë si toka e askujt, por, këmbëngulja e deputetit Majko dhe deputetes Balluku ka qenë që ta integrojmë të gjithë zonën. Në këtë vend kur dikur ka qenë një përrua i madh, sot kemi kanalizime për ujërat e zeza, ujërat e bardha, ka pika për mbledhjen e plehrave, është vendosur ndriçim LED. Dua vetëm që qytetarët ta mirëmbajnë, me të njëjtën frymë që kanë bashkëpunuar”.

Kryebashkiaku u ndal edhe tek situata me zjarret, në këto ditë të nxehta gushti, teksa theksoi se ka një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve për të mos vendosur zjarre. Ai nënvizoi se pavarësisht ndonjë rasti të izoluar në rrethinat e Tiranës, ndërhyrja ka qenë në kohë nga ana e shërbimit zjarrfikës në kryeqytet.

“Para 5-6 vitesh, ne ishim epiqendra e zjarrit, ishim lajmi i gushtit. Të gjitha rrethinat e Tiranës digjeshin për pak kullotë. Sot kemi arritur një nivel emancipimi të jashtëzakonshëm, ndaj dua të vazhdojmë më të njëjtën frymë. Kemi pasur disa tentativa për zjarr edhe në Vrap, edhe në Pezë, edhe te “Parku i Liqenit”. Megjithatë, siç e thashë, 1 në 100 veta nuk e prish emancipimin që kemi mbërritur, kështu që duhet të vazhdojmë kështu”

Veliaj tha se Bashkisë së Tiranës i janë shtuar edhe dy zjarrfikëse të reja, me të gjitha pajisjet e ardhura nga Holanda, duke e pasuruar kështu flotën e Zjarrfikëseve në qytet.

Top Channel