Rrugorët e kryeqytetit kanë monitoruar të gjitha njoftimet e adresuara nga qytetarët, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, një pjesë e të cilave janë edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si ushtrim aktiviteti të palicencuar nga mjetet e përdorimit vetjak, shkelje të sinjalizimit rrugor, gara shpejtësie, parakalime të gabuara etj.  

Shumica e njoftimeve janë mbi informalitetin në fushën e transportit publik, kryesisht në zonat periferike të kryeqytetit apo rrugë në të cilat prezenca fizike e Policisë është më e reduktuar. Falë aplikacionit, qytetarët kanë mundësinë që të jenë “Syri i Policisë” edhe në zonat më të largëta.

Falë njoftimeve të sakta të adresuara në Komisariatin Dixhital, rrugorët e kryeqytetit këtë javë kanë mundur të identifikojnë në kohë dhe të procedojnë administrativisht 432 drejtues mjetesh, konkretisht:

  • 31 drejtues të automjeteve të ndryshme, të cilat janë denoncuar për ushtrim aktiviteti të palicencuar në fushën e transportit publik ose jo në përputhje me kushtet dhe kufizimet e licencave;
  • 22 drejtues automjetesh për shkelje të sinjalizimit të ndritshëm (semafor);
  • 123 drejtues automjetesh për qarkullim në korsitë e shërbimit publik;
  • 46 drejtues automjetesh për parakalime të gabuara;
  • 19 drejtues automjetesh për veprime të rrezikshme dhe gara shpejtësie;
  • 191 drejtues automjetesh për shkelje të tjera të rregullave të ndryshme të qarkullimit rrugor.

Ndërkohë, në të gjithë vendin, gjatë kësaj jave, si rezultat i denoncimeve të qytetarëve në Komisariatin Dixhital, janë ndëshkuar me masë administrative 1994 drejtues automjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Top Channel