Kur janë bërë dy javë nga aksidenti tragjik i autobusit në Kroaci, në spitalin e Slavonski Brodit po marrin ende trajtim mjekësor gjashtë të lënduar.

Zyra e Kryeministrit konfirmoi se gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesjen e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët.

Në momentin e aksidentit, që ndodhi më 25 korrik në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, në autobusin që po qarkullonte në linjën Frankfurt- Prishtinë kanë qenë 67 pasagjerë dhe 2 shoferë.

Në spitalin “Dr. Josip Benčević” kanë marrë ndihmë mjekësore 42 qytetarë. 10 bashkatdhetarë nuk i mbijetuan aksidentit.

Pas përfundimit të trajtimeve mjekësore dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, në Gjermani janë kthyer me aeroplan 7 qytetarë, ndërsa njëri me transport të veçantë.

Në Kosovë, në formë të organizuar dhe privatisht janë kthyer 53 qytetarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u dëshiron shërim të plotë të lënduarve të hospitalizuar dhe i siguron se do të vazhdojë përkujdesjen dhe angazhimin për ta”, përfundon njoftimi i ZKM.

Top Channel