Në një kohë që Turqia, Greqia dhe Italia janë nën pushtetin e flakëve përvëluese, ekspertët paralajmërojnë se zjarret do të bëhen me intensive dhe të shpeshta.
Bob Ward, drejtues në Institutin Kërkimor Grantham për Ndryshimet Klimatike në Shkollën Ekonomike të Londrës, shpjegon se rritja e zjarreve të egra që aktualisht po shtrihen në Evropën Jugore dhe rajone të tjera, janë pasojë e ndryshimit të klimës dhe se ato do të jenë më të shpeshta dhe më intensive për të paktën 30 vitet e ardhshme.
“Toka po ngrohet dhe kjo do të thotë që periudhat e motit të nxehtë do të bëhen më intensive dhe më të shpeshta dhe që çon në avullimin më të shpejtë të ujit, duke rritur rreziqet e zjarrit dhe ne po shohim që stinët e zjarreve do të bëhen më të gjata dhe më intensive përreth.
Ndryshimi i klimës po rrit rrezikun e zjarrit dhe kushtet do të përkeqësohen për të paktën 30 vitet e ardhshme, sepse ndryshimi i klimës do të ndalet vetëm kur bota të ketë zero emetime të gazrave serë dhe data më e hershme që vendet po diskutojnë për këtë është viti 2050. Pra kemi 3 dekada të përkeqësimit të rrezikut nga zjarri”, shpjegon Bob Ward.
Deri më tani rajonet qendrore dhe jugore në Evropë kanë humbur dhjetëra-mijëra hektarë pyje.
Në Sardenjë botanistët janë të alarmuar për shkatërrimin e biodiversitetit lokal si dhe për numrin e ullishtave që janë shkatërruar.
Ndërkohë në Turqi është ende aktiv zjarri pyjor në rrethin Manavgat të provincës Antalya në Turqi.
Edhe Greqia po përjeton valën më të keqe të nxehtësisë, ku nga rrethinat e Athinës u evakuuan mijëra banorë , ndërsa janë dëmtuar më shumë se 90 shtëpi, 27 biznese dhe janë djegur më shumë se 80 makina.
Top Channel