Vatrat e mëdha të zjarreve janë vënë nën kontroll por rreziku mbetet në Karaburun ku situata po monitorohet nga ushtria dhe punonjësit e zonave të mbrojtura. Flakët ende mund të rrezikojnë pishat në Llogora.

Në fshatin Dukat i ri është ende aktive dhe një vatër e vogël zjarri e cila nuk përbën rrezik. Ndërkohë pasojat e zjarrit që ra dje në fshatin Gjorm janë 1200 rrënje ullinj të djegur, tre banesa në Gjorm dhe një në fshatin Gumenicë të pabanueshme tashmë dhe nuk po gjenden 60 krerë bagëti.

Në Gjirokastër situata është stabilizuar, por mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik.
Edhe zjarri në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri. Zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe.

Në malin e Shëngjinit, në Lezhë vatra është izoluar. Zjarri në fshatin Kalis, në Kukës po mbahet nën kontroll, ndërsa është eliminuar rreziku për banesat.

Ndërkaq problematike situata e zjarrit vijon të jetë në Majën e Rrunës, në Kukës. Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, por situata po mbahet nën kontroll për të mos rrezikuar banesa, njoftoi ministria e mbrojtjes.

Top Channel