Kuvendi nuk e miraton rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit

06/08/2021 16:16

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërsa 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë.

Rezoluta ftonte qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Washingtonit.

Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Kusari-Lila: Dështimi i rezolutës nuk është mosvlerësim i rolit të SHBA-së
Mosvotimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit nuk duhet të shihet si mosvlerësim i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje kundërshton nismën e ‘mini-Shengenit’ dhe ndarjen e resurseve me Serbinë për Liqenin e Ujmanit.

Janë dy parime përmbajtjesore. E para është që në asnjë mënyrë ose në asnjë formë mosmbështetja e kësaj rezolute sot nuk lidhet me mosvlerësimin e rolit të SHBA-së, e kundërta. Si Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeveria e Kosovës mbeten të përkushtuara në një partneritet strategjik, i cili është i veçantë për Kosovën dhe popullin e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne do të vazhdojmë me bashkëpunimin në të gjitha sferat në veçanti edhe në raport me procesin e dialogut. Parimi tjetër është që Kosova në dialogun nuk hyn si palë e cila duhet të konsiderojë se duhet të vazhdojë të bëjë kompromise të mëtutjeshme, por si dy shtete që do të diskutojnë për një të kaluar, ku Serbia ishte agresori dhe Kosova viktima”, thotë Kusari-Lila.

Kundërshtitë e LVV-së për marrëveshjen
Në marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë parashihet edhe studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që shtrihet në territorin e Kosovës dhe Serbisë. SHBA-ja prezantoi më 23 qershor studimin e fizibilitetit, për menaxhimin e burimeve ujore të këtij liqeni, ku u tha se çështja e Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës kur u debatua për rezolutën tha se Liqeni i Ujmanit është i Kosovës.

Liqeni i Ujmanit, liqe artificial nga Kosova, i Kosovës. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizibilitetit të publikuar së fundmi, për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarëdo pretendimi”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, sa sipas Kurtit, efekti i parë i Marrëveshjes së Uashingtonit, ishte në të mirë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Efekti i menjëhershëm nuk kishte qenë ajo që ndodhi pas nënshkrimit, ajo që i parapriu nënshkrimit, e kjo është hapja e portës së Shtëpisë së Bardhë për presidentin e Serbisë”, deklaroi Kurti më 7 korrik.

Marrëveshja e Washingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.

Sipas marrëveshjes, Kosova zotohet të bëhet pjesë e nismës së “mini-Shengenit” apo siç njihet tani me termin “Ballkani i Hapur” që parasheh lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore në vendet e Ballkanit. Në këtë nismë bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Këtë iniciativë është shprehur kundër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Qeveria e tij ka thënë se kjo nismë është pa vizion dhe është parë si “ide e rrezikshme”, pasi sipas ekzekutivit, krijohet përshtypja se ekziston alternativë për integrimin në BE.
Por, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.

Në fund të fundit, qeveria e Kosovës duhet të vendosë se në cilat iniciativa do të bashkohet dhe cilat e mbështesin më së miri vizionin e saj ekonomik. Megjithatë, ne inkurajojmë qeverinë që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe të përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”, tha për Radion Evropa e Lirë më 5 gusht një zëdhënës i Ambasadës amerikane.

Në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit ishte edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës. Më 1 shkurt, përmes një ceremonie virtuale, Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike. Ndërsa, më 14 mars, Kosova përmbushi obligimin nga Marrëveshja e Washingtonit, duke hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

Marrëveshja e Washingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Top Channel