Si pasojë e erërave të forta, janë përhapur vatra të zjarrit në disa pjesë të fshatit Shtupeq i Madh të Rugovës.

Qindra hektarë janë përfshirë nga zjarri që ditën e sotme ka marrë përmasa më të mëdha. Në lokacionet e përfshira nga zjarri po intervenojnë zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po sigurojnë banorët në këtë zonë dhe po përpiqen të evitojnë dëmet e shkaktuara nga zjarri, ndërkohë ka pasur edhe intervenim nga KFOR-i përmes helikopterëve.

Zjarri që ka kapluar Shtupeqin e Madh tash e disa ditë kishte arritur të lokalizohet nga intervenimi i institucioneve por ka shpërthyer prapë dhe ka marrë përmasa më të mëdha sot si pasojë e erarëve të forta.

Drejtori i parkut kombëtar Bjeshkët e Nemuna, Fatmir Morina thotë se banorët nuk janë të rrezikuar dhe se ka ndërhyrje në lokacionet ku vlerësohet rreziku.

“Tashmë është përhap zjarri edhe në lokalitete të tjera, ky zjarr është pothuajse që 10 dite u shfaqur ndërsa ne jemi mundur ta lokalizojmë por era e madhe e cila po mbizotëron ditët e fundit është kah e shpërndan me të madhe… Banorët nuk janë të rrezikuar, tri shtëpi të cilat janë më afër vatrave të zjarrit janë evakuuar ndërsa pjesë të tjera banorëve janë më larg zjarrit”, thotë Morina.

Toger Drin Merturi nga Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se janë në vazhdimësi duke e përcjellë situatën dhe në rast rreziku do të evakuojnë edhe banorët e tjerë në këtë zonë.

“Ka familje të cilat janë evakuuar, në momentin e parë e shohim rrezik njerëzish ose dëmtim prone atëherë ne intervenojmë dhe e bëjmë evakuimin e gjithë civilëve që gjendjen në zonën ku janë duke u përhapur vatrat e zjarrit[…]Dita e sotme ka qenë në gjendje më të rëndë për shkak të erarëve, ditët e para kemi pas intervenime dhe kemi pasur më pak vatra të zjarrit, kemi pas komunikim edhe me KFOR-in të cilët na kanë ndihmuar, ekipet tona dhe pjesëtarët të cilët e kanë bërë shuarjen e vatrave të zjarrit kanë pasur komunikim duke i dërguar koordinatat dhe KFOR-i me anë të helikopterëve ka ndihmuar me u shu zjarri”, thotë ai.

Banorët në këtë zonë ndër të tjera frikësohen se zjarri do të përfshijë pronat e tyre, sipas të cilëve, rreziku vazhdon të jetë i madh me gjithë intervenimi e institucioneve.

Banori Remzi Nikqi për KosovaPress tregoi se janë 100 hektarë tokë që janë përfshi nga zjarri dhe një stan është djegur i tëri.

“Është interesant se zjarre ka pas edhe në të kaluarën por jo me këto përmasa  kaq të mëdha, asnjëherë nuk e mbanë mend askush dhe janë lokalizuar shumë shpejt. Këtë radhë intervenimi ka qenë shumë i madh por nuk e di çka ka ndodhë, a është tek jo profesionalizmi apo  erëra të mëdha, temperatura të larta dhe kjo ndikon shumë. Dje kemi menduar që është lokalizuar dhe po shkon drejt shuarjes së zjarrit, sot në mëngjes ka filluar një erë shumë e madhe dhe zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Në pjesën tjetër ka edhe djegie të staneve. Ka një stan që është djegur në tërësi. Ne vetëm mëshirën e Zotit po mbajmë shpresë, jo se nuk kanë intervenuar zjarrfikësit dhe të tjerët por po shohim që është e pamundur[…]Kjo është pa koment, nuk di saktë por mbi 100 hektarë janë përfshirë në zjarr dhe rrezikohen edhe qindra hektarë”, tha ai.

Ata po përpiqen të ndihmojnë autoritetet në lokalizimi dhe fikjen e zjarrit derisa familjet i kanë evakuuar, thotë Muhamet Nikqi.

“Gjendja është shumë e rëndë siç po e shihni edhe vet, zjarri është përballë vendbanimeve, përpjekje janë duke u bërë çmos që mos me lënë me u kall por erërat e mëdha po e bëjnë[…]Kemi qenë të evakuum, vetëm ne banorët që jemi këtu po bëjmë çmos me FSK-në, policinë, zjarrfikësat, duke bërë përpjekje mos me u dhez më shumë”, thotë ai.

Sipas banorit Isuf Nikqi, në ditët e kaluar gjendja ka qenë e rëndë në orët e pasdites, por sot si pasojë e erërave të forta, situata është keqësuar qysh në orët e paradites.

“Gjendja faktike po shihet si është, zjarri ka kapluar gjitha anët, përmbi 300 hektarë janë djeg, megjithëse kanë intervenuar zjarrfikëset e Pejës, komunave të tjera, FSK, edhe banorët, edhe natën kemi mbajt kujdestari në mënyrë vullnetare por fryma shumë e madhe dhe është e pamundur… Gjendja sot ka nisë me u ashpërsu shumë më shumë sot prej orëve të hershme prej 10-11 ora, ditëve të tjera pasdite ishte gjendja më e keqe”, thotë ai.

Ditët e fundit është përhapur zjarr në disa komuna të Kosovës, përveç në Rugovë edhe në Suharekë e Prizren.

Top Channel