Goditja e madhe e Juventusit të Massimiliano Allegrit në mesfushë në këtë merkato verore do të jetë rikthimi i Miralem Pjanic.

Vështirësitë që po hasin drejtuesit e klubit bardhezi në bisedimet me Sassuolon për të marrë shërbimet e mesfushorit të kombëtares italiane Manuel Locatelli, për të cilin klubi nga Reggio Emilia kërkon vetëm para të thata që e kalojnë shifrën e 40 milionë eurove, kanë bërë që drejtuesit e klubit bardhezi ta hedhin vështrimin nga boshnjaku i Barcelonës, Miralem Pjanic.

Sipas El Mundo Deportivos, përjashtimi i Pjanic nga miqësorja që Barcelona zhvilloi në Austri ndaj Salzburg me trajnerin Ronald Koeman që nuk e grumbulloi është një tjetër sinjal tregues se rikthimi i ish-mesfushorit të Romës në Torino është shumë afër. Në ditët e kaluara ka patur kontakte mes agjentit të futbollistit shqiptarit Fali Ramadani dhe drejtuesve të klubit të Juventusit të cilët nëpërmjet telefonit kanë biseduar edhe me homologët e tyre blaugrana për të bërë të mundur kalimin e Pjanic në Serie A pas vetëm një sezoni në La Liga.

Marrëveshja mund të mbyllet me sukses të dielën e 8 gushtit kur Barcelona dhe Juventusi do të përballen mes tyre për trofeun Gamper dhe drejtuesit e të dyja klubeve do të kenë mundësi të diskutojnë nga afër dhe të mbyllin me sukses bisedimet për rikthimin e mesfushorit boshnjak në Torino.

 

Top Channel