Milani bie te penalltitë, Salzburg thyen Barçën, Chelsea barazon me Tottenham!

05/08/2021 12:04

Pas barazimit 1-1 në miqësoren e parë ndërkombëtare për këtë sezon ndaj Nice, Milani nuk arriti të fitonte as në duelin ndaj Valencias në Mestalla, ndeshje që u mbyll në barazim pa gola ndërkohë që nga pika e bardhë e penalltive spanjollët u treguan më të saktë, me Krunic që humbi 11-metërshin deçiziv për kuqezinjtë.

Gjithsesi në tërësi ishte një paraqitje e mirë për Milanin me Stefano Piolin që provoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion. Pas 3 fitoresh në 3 miqësoret e para, Barcelona e Ronald Koeman u mposht në Austri në stadiumin Red Bull Arena nga Salzburg me rezultatin 2-1. Vetëm në minutën e 84-t u hodh në fushë sulmuesi i kombëtares shqiptare Rey Manaj. Për Salzburg realizuan Sucic në të 43-ën dhe Aronson në të 90-ën ndërkohë që për Barçën barazoi përkohësisht shifrat në minutën e 82-të danezi Martin Braithwaite.

Barazim 2-2 mes Chelsea-t dhe Tottenham në miqësoren e zhvilluar në Stamford Bridge. Dygolëshi i marokenit Hakim Ziyech edhe pse i dha avantazhin e dyfishtë nuk i mjaftoi skuadrës së Thomas Tuchel me Tottenham-in e Nuno Espirito Santo që reagoi duke barazuar shifrat në 2-2 me golat e brazilianit Lucas Moura dhe holandezit Steven Bergwijn.

Dhuroi spektakël ndërkohë Ajaxi në miqësoren ndaj Leeds United të cilën e fitoi me shifrat 4-0 me finalizimet e Davy Klassen, Schuurs dhe supergolin e Gravenberch në pjesën e parë dhe rrjetën e Danilos në minutat e fundit të sfidës. Leicester ndërkohë mposhti me shifrat 3-2 fituesen e freskët të Europa League Villarealin, me golat e Souyncu, Barnes dhe Ayoze Perez ndërkohë që për nëndetsen e verdhë realizuan në fund Nino dhe Milan.

Top Channel