“Bomba” e verës, Messi largohet zyrtarisht nga Barcelona

05/08/2021 22:52

Lionel Messi nuk do të jetë më një lojtar i Barcelonës.

Pas 18 vitesh, argjentinasi largohet nga klubi që e bëri të njohur në mbarë botën, duke shkaktuar surprizën më të madhe të kësaj merkatoje vere, pikërisht atëherë kur mendohej se palët do të gjenin marrëveshjen për rinovimin. Zërat që qarkulluan këtë të enjte se palët kishin një ngërç mes tyre, u konfirmuan në orët e mbrëmjes me komunikatën e klubit katalanas, që zyrtaroi vetë largimin e 6 herë fituesit të Topit të Artë.

“Pavarësisht se kishte një marrëveshje mes Barcelonës dhe Leo Messit për firmosjen e kontratës së re, ajo nuk u zyrtarizuar për shkak të pengesave strukturore dhe ekonomike të klubit. Barça kërkon të falënderojë me gjithë zemër lojtarin për kontributin e dhënë në rritjen e emblemës së klubit dhe i uron atij më të mirat në jetën dhe karrierën e tij”.

Qëndrimi i Mesit te Barcelona u trondit që një vit më pare, kur lojtari ishte shumë pranë largimit, por në fund palët, pavarësisht dëshirave, zyrtarizuan vazhdimin dhe për një tjetër vit, por këtë herë nuk pati më kthim pas me dashurinë më të bukur të futbollit modern që erdhi në fund. Messi te Barcelona fitoi gjithçka, nga 6 Topa të Artë, 4 Champions League, 3 Superkupa Europe, 3 Botërorë për klube dhe 10 tituj kampion në La Liga, duke qenë simboli i një skuadre që dominoi për një dekadë me radhë futbollin botëror.

Me shumë mundësi, Messi mund të transferohet tani te PSG, teksa zërat për një kalim të mundshëm të tij në “Parc des Princes” nuk kanë munguar, me francezët që mund të jenë të vetmit që mund të plotësojnë dhe kërkesat ekonomike të argjentinasit, ndërsa nuk mungojnë zërat se të njëjtën rrugë mund të ndjekë dhe Cristiano Ronaldo pas pak ditësh./SuperSport/

Top Channel