Opinion nga Mahmoud Royaei
Mahmoud Royaei ka qenë i burgosur politik në Iran. Ai është anëtar i Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit, dhe ka shkruar pesë libra (në persisht) të quajtur “Mbjellësit e Diellit” për kohën e tij në burgjet e Iranit. Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të tijat.
(CNN)Data 3 gusht 2021 shënoi fillimin e mandatit katër-vjeçar të Ebrahim Raisi-t si president i Iranit. Ceremonia e miratimit zyrtar u zhvillua në “Beyt” (“shtëpi” në arabisht) e Liderit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, si një prelud ndaj inaugurimit të Raisi-t.
Pikërisht 33 vjet më parë, më 3 gusht 1988, u gjenda në të njëjtën dhomë me Ebrahim Raisi-n. Në atë kohë, ai ishte zëvendës prokuror i Teheranit dhe anëtar kyç i një grupi që njihej si “Komisioni i Vdekjes” në burgun Gohardasht të Karaj – në veri-lindje të Iranit. Isha i burgosur politik dhe kisha kaluar gjysmën e dënimit tim 10-vjeçar kur e takova për herë të parë Raisi-n, ashtu si mijëra shokë e simpatizantë të tjerë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), një grup politik opozitar. Isha atje për të dëgjuar Raisi-n tek vendoste për fatin tim.
Më bëri përshtypje mosha e tij e re ndoshta po aq sa edhe arroganca, intoleranca dhe sjellja e tij prej rrugaçi. Efektet e mungesës së një arsimimi (raportohet se ai nuk ka bërë më shumë se gjashtë klasë) m’u bënë menjëherë të qarta. Ishte e qartë që Raisi e shijonte faktin që i ishte dhënë pushtet mbi jetën dhe vdekjen, dhe këtë pushtet e ushtroi lirshëm në mijëra çështje gjatë masakrës së asaj vere ndaj të burgosurve politikë.
Mesatarisht, komiteti i merrte vendimet për dy minuta, dhe pothuajse në çdo rast, vendimi ishte që i pandehuri të varej nga qafa derisa të vdiste: “Ekzekutim, tjetri …”
I pyetur për përfshirjen e tij në këto ekzekutime, Raisi tha për Al-Jazeera se, “Çdo gjë që kam bërë kur kam qenë në detyrë ka qenë për të mbrojtur të drejtat njerëzore.”
Baza e dënimit tim 10-vjeçar nuk ishte gjë tjetër veçse një refuzim për t’iu nënshtruar teokracisë islamike apo për ta mohuar lidhjen me organizatën. Kjo lidhje nënkuptonte një mohim të qartë të shumë besimeve fetare strikte e të prapambetura të regjimit, si ideja se Islami kërkon mbulimin e detyrueshëm të grave, se gratë kanë gjysmën e vlerës së burrave, dhe se ndjekësit e feve të tjera janë “të pafe” zërat e të cilëve duhet të përjashtohen nga shoqëria iraniane.
Në moshën 18-vjeçare dhe për 10 vite më pas, qeshë dëshmitar i këtyre përpjekjeve në birucat e regjimit, dhomat e marrjes në pyetje, dhe qelitë e izolimit. Rojat përdornin kabllo elektrive me madhësi të ndryshme për të më rrahur pothuajse në çdo pjesë të trupit, nga shputat e këmbëve e deri tek qafa. Pas disa dhjetëra goditjeve, këmbët filluan të më ënjteshin dhe kokën e ndieja si një tullumbace gati për t’u shpuar. Por edhe më i keq sesa dhimbja fizike ishte llahtari që ndieja në dhomat e pritjes, ku unë së bashku me të burgosur të tjerë detyroheshim të rrinim prapa derës, duke dëgjuar teksa njerëz të tjerë rraheshin e përdhunoheshin.
Asgjë nuk krahasohet me heshtjen shtypëse të burgosjes së izoluar. Koha humbet çdo kuptim në izolim, dhe në fund, çdo mendim që të hyn në mendje bëhet një burim i ri terrori. Nga frika e çmendjes, ti kërkon për çfarëdolloj gjëje që mund të të ankorojë në realitet. Shoqëria e një insekti të vogël mund të bëhet shpëtimtarja jote më e shenjtë.
Unë, ashtu si mijëra simpatizantë të PMOI-së në atë kohë, u akuzova për shpërndarje të fletushkave, gazetave dhe deklaratave të organizatës, dhe për promovimin e pikëpamjeve anti-regjimtë saj. Por nuk u ekzekutova thjesht sepse nuk e mbrojta nga jashtë organizatën aq fort sa ata që ishin ekzekutuar.
Dita që u ballafaqova me Raisi-n ishte gjithashtu dita kur humba shokun tim më të shtrenjtë, Abbas Afghan, një student nga Babol. Pas tij ikën të tjerë: Mohammad Reza Shahir Eftekhar, Behzad FathZanjani, Mohsen Ruzbehani, HamidrezaArdestani, Mohsen Shiri, Alireza Mehdizadeh e mijëra të tjerë. Më shumë fytyra, më shumë jetë, më shumë familje që presin.
Në ato kohë të zeza, kur dëshira ime më e madhe ishte thjesht të ndieja flladin në qafë dhe kur dritën e diellit e shihja vetëm aq sa më lejonte një dritare e vogël – shtatë këmbë lart dhe e bllokuar me shufra çeliku – nuk e imagjinoja kurrë që do të vinte dita kur do të mund t’i tregoja botës për Raisi-n. Por jam gjithashtu i sigurt se ai nuk ka menduar kurrë se do të vijë një ditë kur do të përballet me pasojat e veprimeve të tij.
Për mua, 3 gushti është një ditë e zezë. Tani besoj se ajo do të regjistrohet si një ditë e zezë në historinë njerëzore. Pyes veten se sa udhëheqës të botës do ta njohin si të tillë, dhe sa prej tyre do të shtrëngojnë duart me Raisi-n e do ta urojnë atë për marrjen e presidencës. Për ata që kanë patur të bëjnë personalisht me të, Raisi simbolizon vdekjen e shpresës. “Zgjedhja” e tij është përshkruar gjerësisht si e manipuluar dhe e orkestruar nga Lideri Suprem Khamenei, i cili pa dyshim e ka përzgjedhur Raisi-n për shkak se kanë të dy të njëjtin vizion të errët për vendin.
Por kam ende shpresë. Gjatë gjithë këtyre viteve, jemi përballur me stuhi të shumta dhe kemi qenë mu në barkun e bishës … por qëndrojm ende më këmbë. Unë besoj se diktatori dhe lakeu i tij kanë humbur tashmë. Në 1988-ën, ata donin që të gjithë kundërshtarët e regjimit të pendoheshin, të riktheheshin në familjet e lagjet e tyre të turpëruar e të thyer, duke u thënë të tjerëve se është e kotë t’i kundërvihesh këtij regjimi. Ata nuk donin trupa të varur, por kufoma të gjalla, përgjithmonë të përkulura. Por në vend të kësaj, ata u përballën me mijëra njerëz që nuk u thyen dhe që u bënë dëshmorë për brezat e ardhshëm.
Sot, ndërkohë që besnikët e Khamenei-t i referohen atij si “udhëheqësi i Revolucionit Islamik,” që nisur nga pikëpamjet e tij, duhet të jetë “udhëheqës i ektremistëve islamikë,” ekziston një brez i ri iranianësh laikë-demokratikë që po ngrihen nga Khuzestani në Teheran, të gatshëm për të vërtetuar që “Beyt” e Khamenei-t është thjesht një shtëpi prej letre.
Top Channel