13 vatra zjarri në të gjithë vendin/ Nuk ka rrezik për banesat dhe njerëzit, problemi më i madh në Karaburun

05/08/2021 01:28

Në pjesën më të madhe të vendit zjarret u vunë nën kontroll gjatë së mërkurës, ndërsa Ministria e Mbrojtjes njoftoi se aktualisht janë aktive 13 vatra. Zona me problematike vijon që të mbetet Karaburuni në Vlorë.

Atje ka disa vatra zjarri, por pa rrezik për shtëpitë dhe banorët. Ndërkohë flakët që ishin drejtuar në Parkun Kombëtar të Llogorasë janë vënë nën kontroll në mbrëmje ku u bë edhe ndërrimi i trupave të ushtrisë që do të qëndrojnë natën në terren për të mbajtur nën kontroll situatën.

Zëvendës komandanti i forcave komando tha se ndërhynë në lartësinë 1350 metra mbi nivelin e tokës, ku kanë bërë të mundur ndalimin e zjarrit, që për 20 metra do t’i afrohej pyllit të Llogorasë.

Po ashtu prani të zjarreve ka edhe në fshatin Cukal, në Shkodër. Në Gjirokastër, vijon zjarri në luginën e Lunxhërisë. Puna vijoi për shuarjen e flakëve në kodrën e pishave në fshatin “Arshi Lengo”, ku veç forcave operacionale ndërhyrja vijon nga ajri me helikopter. Zjarret në Fushë-Arrëz rrezikojnë të kalojnë në zonat e banuara, ndaj edhe atje është dërguar një helikopter për mbështetje nga ajri.

Vatra të tjera zjarri, por pa rrezik për jetët e njerëzve dhe banesave janë në monitorim në bashkinë Tepelenë, pyllin e fshatit Shetaj, në fshatin Manskuri në Durrës, në Lukan në Dibër, në bashkinë Mallakastër dhe në fshatin Shelcan në Elbasan. Në operacionet për shuarjen e flakëve në disa zona të vendit janë angazhuar mbi 500 efektivë të Forvace të Armatosura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA