Kosovë, viktima e parë nga zjarret/ Zjarri ra në stallën e viktimës në Malishevë

04/08/2021 18:59

Një 64 vjeçar nga fshati Fshat i Ri i Malishevës dyshohet të jetë viktima e parë nga zjarret.

A Gegaj, sipas raportit të mjekut dyshohet të ketë vdekur nga tymi si pasojë e zjarrit nga djegia e stallës së bagëtisë.

Sipas deklaratës së familjarëve në polici, i ndjeri të martën në ora një pas mesnate kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri një ditë më parë si pasojë e lidhjeve të shkurta nga rrjeti elektrik shkak i erërave të forta, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo ishte riaktivizuar.

Familjarët të cilët nuk deshën të flasin para kamerës treguan se të ndjerin e kanë gjetur rreth një orë më vonë.

Megjithëkëtë, pas konsultimeve me prokurorin e shtetit rasti është kualifikuar si “hetim i vdekjes” për çka trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, tregojnë se kjo dyshohet të jetë viktima e parë nga zjarret.

E gjatë së mërkurës vatrat e zjarrit janë rritur në nëntë, por në përmasa më të vogla.

Top Channel