Shkolla nis në 1 shtator, dy javë konsultime me nxënësit për mangësitë e vitit 2020

02/08/2021 15:10

Edhe pse 13 shtatori u caktua si dita e parë e vitit të ri shkollor, ministria e arsimit njofton se institucionet arsimore parauniversitare do të hapin dyert që në 1 shtator.

Përgjatë dy javëve nxënësit do të mund të përsërisin njohuritë e fituara gjatë vitit të kaluar shkollor si dhe do t’i përforcojnë ato për shkak të mangësive të krijuara nga mësimi në kohë pandemie.

Në këtë periudhë mësimi do të zhvillohet në formë konsultimesh dhe në varësi të nevojave të identifikuara në çdo shkollë. Pra, temat që do të përzgjidhen nuk do të jenë të njëjta për të gjithë institucionet arsimore dhe do të jenë në dorë të mësuesit.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në një status në facebook lajmëron të gjithë arsimtarët që do të punojnë që në fillim të shtatorit që do të paguhen me orë shtesë. Ndër të tjera në ndihmë të mësuesve janë përgatitur 3 udhëzues të ndarë për çdo cikël arsimor, arsimin fillor, nëntëvjeçar dhe të mesëm.

Sipas udhëzuesit rekomandohet që procesi mësimor të nis në orën 8:30 të mëngjesit dhe të mos zhvillohen më shumë se 3 orë në ditë, ndërsa ora e mësimit duhet të zgjas 45 min. Nxënësit e klasave nga e dyta në të pestën do të përsërisin njohuritë vetëm në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikë, klasave nga e gjashta deri në të 9 u shtohet edhe përmirësimi i arritjeve në gjuhën e huaj, ndërsa gjimnazistët do të konsultohen edhe në lëndët e biologjisë, kimisë dhe fizikës.

Gjatë zhvillimit të temave të përsëritjes nuk do të ketë vlerësim me notë të nxënësve dhe pjesëmarrja nuk do të jetë e detyrueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA