Kosova nderon djalin e Biden/ Medalje pas vdekjes për Beau Biden, punoi në Kosovë pas luftës

02/08/2021 12:56

Presidentja Vjosa Osmani dorëzoi medaljen presidenciale post-mortem për Beau Biden, djali i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për kontributin e tij në fushën e drejtësisë pas luftës në Kosovë.

Medalja presidenciale është pranuar nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ndërsa përmes video-mesazhit të pranishmëve iu është drejtuar presidenti Biden. Në këtë ceremoni përveç presidentes Vjosa Osmani, morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett.

Osmani: Prandaj, në emër të popullit të Kosovës dua t’ju siguroj se, sikur që Kosova zë vend të veçantë në zemrat e familjes Biden, edhe familja Biden dhe populli amerikan zënë vend të veçantë në zemrat tona. Ashtu si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë. Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë”.

Në video-mesazhin e tij presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja Vjosa Osmani ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer pas luftës në Kosovë.

Biden: Pesë vjet më parë, unë solla Natalie dhe Hunter, gruan time Jill, dhe gjithë familja Biden në Kosovë për një ceremoni, ku u emërua një autostradë me emrin e Beau Biden para Kampit Bondsteel. Ishte shumë emocionuese për ne. Vetëm një vit pasi humbëm Beau-n, djalin tonë, pamë teksa nderohej kujtimi për të siç bënë të dy partitë politike, duke shkuar te Kampi Bondsteel, dhe mënyra se si ata folën për Beau-n. Duke e ditur se sa njerëz ka prekur, ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës, të cilët Beau i deshi aq shumë, kështu që ai besoi aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë tuaj.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, duke pranuar medaljen presidenciale post-mortem për Beau Biden, ka shprehur besimin e tij se miqësia Kosovës-SHBA do të vazhdojë të forcohet akoma më shumë në të ardhmen.

Kosnet: Amerikanët respektojnë dhe e çmojnë rrugën e Kosovës, sepse jemi në të njëjtën rrugë në bazë të mundësisë së barabartë dhe respektim të drejtave të njeriut kemi krijuar një partneritet që do të zgjasë shumë.

Beau Biden ndërroi jetë si pasojë e sëmundjes së kancerit në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë. Ndryshe, kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.

Top Channel