Arsenali i mbyll dëren në fytyrë Romës për Granit Xhakën, duke i dhënë fund dëshirës së verdhekuqve dhe Jose Mourinhos për të bërë të tyrin mesfushorin me origjinë shqiptare.

“Topçinjtë” nuk kanë ndërmend të privohen nga Xhaka, që deri më tani ka qenë objektriv primar për merkaton e Romës. Klubi londinez e ka vlerësuar mesfushorin diku te 20 milionë euro, çka ka penguar realizimin e operacionit, edhe pse mediat italiane këmbëngulin se dëshira e kapitenit të Zvicrës ka qenë për të ndryshuar ambient dhe për t’u bashkuar me Jose Mourinhon.

Propozimi i fundit i Romës, gjithsesi, nuk ka shkuar më tej se 13 milionë euro në pjesën e pagesës fikse, me bonuset që mund ta çonin në total vlerën e operacionit në rreth 15 milionë euro.

Një tratativë kjo që vazhdonte prej më tepër se një muaji, i nisur nga drejtuesi romanist, Tiago Pinto, që kur luhej Europiani, dhe që duket se e ka lodhur Arsenalin, me trajnerin e “Topçinjve”, Mikel Arteta, që i vë fjalën fund telenovelës, teksa deklaroi: “Granit Xhaka do të qëndrojë me ne, është një futbollist kyç për skuadrën tonë”. Fjalë me peshë dhe të rëndësishme që konfirmojnë synimin e “Topçinjve” për të vazhduar bashkëpunimin me Granit Xhakën dhe që shërbejnë si prelud për hapjen e negociatave mes Arsenalit dhe futbollistit për një propozim për rinovimin e kontratës deri në vitin 2025./ SS

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA