5 gra dhe 14 fëmijë kanë mbërritur në Shqipëri pasi kishin vite që jetonin në kampin famëkeq në Siri.

Ata u nisën nga Bejruti me një charter të vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare, i cili zbarkoi sot në aeroportin “Nënë Tereza”. Ishte vetë kryeministri Edi Rama që i priti së bashku me ministrin e brendshëm Bledi Çuçi.

Top Channel disponon listën e plotë të 19 personave por për arsye etike dhe privatësie ka vendosur mos t’i publikojë emrat e plotë:

B.K nga Tirana me 5 fëmijë.
E.V nga Dibra me 4 fëmijë.
L.K nga Tirana me 2 fëmijë
K.Z nga Tirana me 3 fëmijë
R. B nga Librazhdi

Pasi priti fëmijët dhe gratë në kampin Al-Hol, kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për mediat ku foli për detajet e operacionit dhe për një tjetër operacion që pritet të zhvillohet në vijim.

Kjo është ora që përmbyll një operacion të jashtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkatdhetarë të tjerë nga kampet e ferrit në Siri. Këtë herë 5 gra dhe 14 fëmijë, të cilët mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekje të gjatë, një operacioni të ndërlikuar me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe dhe falë ndihmës të posaçme nga konsulli ynë i nderit në Liban dhe gjenerali Abas.

Ka dhe një operacion tjetër për të zhvilluar se është një mënyrë për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden, por llogarisim një numër të njëjtë pak a shumë me të sotëm. Një rol të rëndësishëm në këtë operacion ka luajtur dhe struktura e antiterrorit e policisë se prej muajsh ka ndjekur operacionin dhe ka bërë një vizitë të posaçëm në Bejrut për të folur me gjeneralin Abas dhe të tjerët. Ky është një zotim i gjallë qysh se është falur ky problem dhe po e mbajmë me këmbëngulje”, tha Rama.

Kryeministri tregoi se gratë dhe fëmijët që kanë mbërritur sot në Shqipëri do i drejtohen një strukture në Durrës dhe do të bëhen të gjitha ekzaminimet, do të kenë një periudhë karantinimi dhe pastaj sipas rastit do të çohen ose në shtëpi, ose në struktura të posaçme.

Ndër të tjera, zbuloi se ka edhe persona të tjerë që refuzojnë të shkëputen nga kampi sepse janë të frikësuar për jetën.

“Janë dy raste që ne njohim, nuk them emra, por nga informacionet e marra janë persona pengje brenda kampeve që nuk shkëputen dot, që kanë frikë dhe e kanë të bazuar se gjatë momentit të shkëputjes mund tu marrin jetën. Janë 2 persona që kanë refuzuar”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se nuk i tërheqin dot me forcë nga kampet në Siri. Rama e ka cilësuar këtë operacion tepër të vështirë duke theksuar se ka pasur rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë në operacion.

Operacionet kësaj natyre janë të vështira se realizohen në një terren forcash që janë luftë me njëra tjetrën. Kampet nuk janë pushimi, as kampe shtetërore të sistemuara sipas një rregulli të caktuar, janë kampe lufte, kampe të sistemuara në gjysëm të provizuar dhe me autoritete që variojnë, në këtë drejtim puna që bëhet është e dyfishtë, është një punë me ata që administrojnë kampet dhe me personat e infiltruar qe mbledhin informacion. Brenda kampit ka dinamika nga më të ndryshmet, ka njerëz nuk shfaqen fare, ka njerëz që janë pengje të së tjerëve atyre brenda, është një situatë ferri.

Ashtu si e tha sot gjenerali ka pasur vërtet rrezik për jetën e peronave të përfshirë në operacion. Kjo është një punë e përditshme e përmuajshme, është një punë kërkimore, ne kemi çuar një numër të caktuar profilesh, prej fillimit kur kemi vënë kontaktet me ndihmën e konsullit tonë në Liban, por janë profile që disponojmë nga koha e mëparshme kur këta individë janë larguar drejt atij fronti aq famëkeq ku një pjesë kanë gjetur vdekjen, pjesa tjetër janë fëmijë gra, ish luftëtar, por ata gjenden në burgje. Është e paqartë sa është numri që kanë mbetur”, tha Rama.

Kreu i Antiterrorit, Gledis Nano foli për operacionin e riatdhesimit duke thënë se ka vështirësi të mëdha për shkak se ISIS ka ende prezencë në terren dhe fëmijët e gratë nuk lejohen të riatdhesohen.

“Është punuar që në operacionin e kaluar, janë identifikuar persona në kampin Al hol dhe janë transferuar në kampin Roj, ku ka më tepër kushte për të jetuar. Kjo u realizua herën e kaluar dhe operacioni ka qenë në vijim pa asnjë ndërprerje që kur u nisëm për të kryer operacionin e dytë. Vështirësitë janë për shkak se ISIS ka ende prezencë në terren. Këta familjarë, fëmijë dhe gra nuk lejohen të riatdhesohen se duhet të qëndrojnë aty. Në kuptim të bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rajon, ka pasur lehtësira se marrëdhëniet janë më të ngushta”, tha Nano.

Sa i përket bashkëshortëve të grave që mbërritën sot në Shqipëri, Nano tha se një pjesë e tyre janë në burg, të tjerë të fshehur në terren ndërsa për të tjerë dyshohet të kenë vdekur në luftime.

“Po punojmë në atë drejtim dhe disa persona ndodhen në burg në Sirinë verilindore, një pjesë e tyre janë larguar dhe janë fshehur në terren ndërsa për një pjesë ka dyshime të kenë humbur jetën nga luftimet”, tha Nano.

Ndërsa për operacionin e radhës që paralajmëroi kryeministri Edi Rama, tha se janë rreth 30 persona të tjerë që pritet të riatdhesohen, pjesa më e madhe e të cilëve ndodhen në kampin Al Hol.

“Ne do të vazhdojmë punën tonë me të gjithë personat që rikthehen.  Sot 19 persona vijnë nga kampi Roj që më parë kanë qenë në Al-Hol. Janë rreth 30 persona të tjerë, pjesa më e madhe është në kampin Al-Hol dhe nuk janë aspak bashkëpunues”, tha Nano.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel