Zjarret rrethojnë Ksamilin/ Flakët kanë mbërritur shumë afër banesave të qytezës turistike

31/07/2021 01:11

Pas Vlorës, Rradhimës, Karaburunit dhe Selenicës flakët zbriten në skajin jugor të vendit. Një zjarr masiv është duke avancuar drejt zonës së banuar në Ksamil. Sipas kreut të zjarrfikëseve, zjarri që nisi rreth mesditës në lartësinë e kullotave malore përparoi me shpejtësi i favorizuar edhe nga era dhe tani gjendet pranë një blloku ullinjsh gati 500 metra nga banesat.

20 forca zjarrfikëse po përpiqen të mbajnë nën kontroll flakët ndërsa prej disa orësh kanë kërkuar ndihmë edhe nga qarqet fqinjë si dhe ushtria. Zjarri ka djegur deri tani disa dhjetëra hektarë shkurre dhe disa parcela të mbjella me ullinj dhe dru frutorë, ndërsa prej disa orësh zjarrfikësit dhe banorët po përpiqen të krijojnë korridore pa bimësi për të ndërprerë përparimin e zjarrit.

Në Sarandë janë duke përparuar edhe dy zjarre të tjerë paralelisht atij në Ksamil, përkatësisht në Vagalat dhe në Delvinë. Flakët edhe atje kanë djegur ullishte dhe shkurre, koshere dhe pemë frutore. Mendohet se të tri rastet lidhen me zjarrvënie të qëllimshme.

Për zjarrin që po i afrohet banesave në Ksamil ka pasur një ndërhyrje të vonuar pasi numri i zjarrfikësve dhe mjeteve ishte i pamjaftueshëm për të ndërhyrë njëkohësisht në tri vatra. Flakët po ndihmohen nga temperaturat përvëluese dhe era dhe nata duket se nuk do jetë e lehtë për qytezën turistike në jug të vendit.

Top Channel