Smajlaj, jashtë finales olimpike/ Peshëngritje, Qerimaj, i 9 në kategorinë 81 kg

31/07/2021 15:28

Erkand Qerimaj e mbylli garimin e tij në Lojërat olimpike në peshëngritje në kategorinë 81 kg për meshkuj. Sportisti shqiptar garoi në baterinë B të kësaj kategorie duke e fituar atë, por në klasifikimin e përgjithshëm pas përfundimit të garimit në baterinë A ai u rendit në vendin e 9.

Qerimaj e mbylli garimin e tij me 338 kg në dygarësh që i dha mundësinë të zërë vendin e parë në baterinë e tij, por pa mundu të hyjë në zonën e medaljeve. në stilin e shkëputjes Qerimaj u tregua i saktë në të treja provat dhe e mbylli atë me peshën 157 kg të ngritur.

Ndërsa në shtytje peshëngritësi shqiptar e mbylli me 181 kg të ngritur në provën e parë. Në dy provat e tjera, Qerimaj tentoi të ngrejë fillimisht 185 kg dhe më pas 187 kg, por dështoi në të dy rastet dhe me peshën në dygarësh prej 338 kg ai e sheh veten në vendin e 9 duke lënë pas vetëm 2 peshëngritës që garuan me të në Baterinë B, ndërsa në baterinë A, 2 sportistë nuk mundën të mbyllnin garimin e tyre.

ndërkaq zhgënjen Izmir Smajlaj që nuk mundi dot të kualifikohej për në finalen e kërcimit së gjati. Atleti shqiptar e mbylli garimin e tij me kërcimin 7.86 m të arritur në provën e dytë duke u pozicionuar në vendin e 9 në Grupin A të kualifikueseve.

Ishte ky një rezultat larg pritshmërive për Smajlaj që në fund u pozicionua në vendin e 17 në renditjen e përgjithshme. Gjithsesi ky rezultat i Smajlaj ishte më i mirë se ai i Lojërave Olimpike të rio De Janeiros në 2016 që e mbylli me 7.72 m

Top Channel