Rrugët me gropa për biznesin/ Akset dytësore të autostradës Tiranë-Vorë janë të shkatërruara

31/07/2021 19:56

Në vendin e quajtur Qafë-Kashar, një zonë e njohur industriale, ku paralel ndodhet autostrada, ndërsa  rruga të çon në aeroportin “Nënë Tereza”.

Çdo gjë mund të quhet kjo rrugë, veçse në gjendjen që është, mund të emërtohet “Rruga me gropa” ose rruga “Të bëfsha gropën”.

“Taksat ne i paguajmë të gjitha një për një, përmes makinës çdo vit. Por në këmbim nuk marrim asnjë shërbim. Ja ky është shërbimi, gropat që të përpijnë, por edhe atje ku e shtrojnë e bëjnë gjithë gunga, ecën si breshka. Shiko sa është gropa këtu, bie shoferi më gjithë makinë brenda. Pse një herë kam rënë këtu tek kjo gropë? Më pyet më mirë sa herë ke rënë, dhe jo a ke rënë?”, tha një qytetar.

“Kjo është zonë e bizneseve, zonë industriale siç quhet, por është për faqe të zezë. Ngelën makinat në servis.”

“Kjo zonë ka shumë qarkullim, më shumë madje sesa në autostradë. Ne nuk na lejon kush ta shtrojmë vetë. I takon shtetit ta bëjë këtë gjë.

Këtu kalojnë shumë mjete të tonazhit të rëndë. Ato e dëmtojnë, plus që janë edhe këto kompanitë e internetit, që rrinë e rrinë dhe çajnë rrugët”, tha një tjetër.

“Po si të mos këtë trafik këtu, gropa gjithandej. Makinat tona u bënë copë. Unë banoj këtu. Por në këtë rrugë janë përqendruar gjithë bizneset e Shqipërisë“, tha qytetari.

Shteti ynë ka ngritur një mekanizëm, që i vjel deri në qindarkën e fundit paratë, për mirëmbajtjen e rrugëve, por duket se ato i thithin këto gropa që i sheh gjithandej nëpër rrugët tona.

Top Channel