Heinrikh Mkhitaryan ka vendosur të qëndrojë te Roma, ku do të duhet të punojë sërish me Jose Mourinhon, trajner me të cilin pati përplasje te Manchester United. Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, fantazisti armen pranoi se është sqaruar me Mourinhon dhe tani të dy bashkë duan të fitojnë me fanellën e Romës.
“Ajo që ndodhi në Manchester, mbeti atje. Unë dhe Mou u ulëm si dy njerëz të përgjegjshëm, folëm, u sqaruam dhe vendosëm të vazhdojmë të dy bashkë te Roma, për të provuar të fitojmë. Karriera mbaron shpejt dhe ato që mbahen mend janë trofetë, ndaj do të provojmë të ngremë lart titullin kampion”, u shpreh armeni.
Mkhitaryan ka qenë një nga pikat kryesore të formacionit të verdhëkuqve në dy sezonet e fundit, teksa përveç cilësive teknike, ka treguar edhe grintë për t’u admiruar, të cilën e shfaqi edhe pak ditë më parë në ndeshjen me Porton, ku u përfshi në një sherr me portugezin Pepe.
“E them qartësisht, që Pepe nuk ka bërë një ndërhyrje të rëndë, por një ndërhyrje për të më dëmtuar dhe për këtë u acarova shumë. Unë jam një lojtar që nuk dua të humb as në stërvitje, jo më në miqësore e ndeshje zyrtare, ndaj jap gjithçka kam kur zbres në fushë”, deklaroi Mkhitaryan.
Top Channel