40 vite duke mësuar fëmijët/ Mësuesi veteran tregon historinë e tij nëpërmjet një libri

31/07/2021 20:04

 “Të dashur nxënës afrohuni me librin!”

Kjo është këshilla e profesorit Çaush Kullafi në çdo orë mësimi  para se të nis shpjegimin. Ai ka një eksperiencë 40-vjeçare në arsim dhe në shkollë kalon një pjesë të mirë të ditës, e pikërisht aty gjen edhe frymëzimin për të ndjekur pasionin e tij, shkrimin…

Mësimdhënien e dashuroj. Dashuroj fëmijët që më presin me padurim. Më japin impulset e krijimtarisë. Madje kam dërguar të gjithë bibliotekën time në shkollë”, tha ai.

Mësuesi shkrimtar ka arritur të balancojë kohën me punën, familjen dhe dhuntinë letrare. E së fundmi ka botuar librin e tij “grimca jete”.

“Ka qenë e vështirë kohët e fundit se ka pasur ngarkesë mësimore por kush ka pasion ia arrin. Ja del”, tha ai.

Sfidat e të shkruarit, netët pa gjumë  i ka shprehur edhe në vargje që i gjen mes faqeve të librit.

“Po ta lexosh me kujdes e kupton ‘më ka lënë hëna dhe më ka gjetur dielli’. Duhet të shkoja në shkollë”, u shpreh mësuesi.

Në librin “Grimca jete”, mësuesi Çaush Kullafi thotë se çdokush mund të gjejë veten, të kujtojë kohën kur ishte në shkollë, nisjen e klasës së parë, fëmijërinë dhe sfidat që të rrisin, dashurinë e parë apo të kuptojë rëndësinë e familjes.

Top Channel