Skandali me tenderin e uniformave të policisë/ Gjykata e Apelit nuk lehtëson masën e sigurisë për 9 zyrtarët nën hetim

30/07/2021 16:27

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi të lërë në fuqi vendimin e GJKKO për për personat nën hetim për skandalin me tenderin e uniformave të policisë.

9 të dyshuarit Edlira Naqellari, Flutura Cekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kreshnik Bejkaj, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali i ishin drejtuar Gjykatës së Apelit duke kërkuar lehtësim të masave të sigurisë, por tetë prej tyre janë lënë në burg.

Vetëm për Anisa Bogdanin është dhënë masa e sigurisë “arrest shtëpie”  sepse ka kërkuar që të kujdeset për fëmijën e saj të mitur.

Këto zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë përfshirë në tenderin e uniformave të policisë, një tender që ka shkaktuar dëm ekonomik dhe shkelje në barazinë në tendera.

Policisë së Shtetit i mungojnë gati 239 mijë njësi për artikuj nga uniformat e policisë pavarësisht se ishte rënë dakord që t’i dorëzoheshin gati 726 mijë artikuj siç parashikonte edhe fondi limit dhe ku përfshihen njësi si kapelet , uniforma apo edhe këpucët dimërore, verore dhe këpucet e plazhit për efektivët që patrullojnë në plazh.

Kjo e dhënë që llogaritet si dëm ekonomik nga gjykata e posaçme rëndon pozitën e nëntë të dyshuarve për skandalin e tenderit të uniformave , për të cilin u shpenzua 2 miliardë e 800 milionë lekë, por SPAK vërejti se veç shkeljes së barazisë në garë ka edhe abuzime të tjera që lidhen me cilësinë dhe sasinë e çështjeve policore.

Por ish-drejtoresha e blerjeve të përqendruara Edlira Naqellari thotë se prej vitesh policia shqiptare është veshur me donacione të shteteve të ndryshme ku përfshihet dhe Turqia dhe se edhe sot, policia e shtetit nuk e ka të qartë se sa është numri i efektivëve përderisa shumë të rinj rekrutohen e të tjerë dalin në pension apo lirohen nga detyra.

Po dëshmia me interesante është ajo e një ish-polici që e prezanton veten si themelues i komisariatit digjital, një institucion virtual tek i cili janë dorëzuar mjaft denoncime që nga parkimet e gabuara, ndërtimet e paligjshme dhe shpërdorimet e detyrës.

Për këtë arsye i dyshuari Klevis Hasani shton se ka qenë bashkëpunues me SPAK dhe i është përgjigjur çdo pyetjeje të prokurorit. Të tjerë kërkuan të lirohen me argumentin se kanë probleme shëndetësore apo se duan që qëndrojnë pranë të afërmve dhe familjes, por kërkesat e tyre nuk u morën parasysh nga Gjykata e Apelit.

Top Channel