Cilat degë do të zgjedh? Në cilat universitete? Këto janë pyetjet më të dëgjuara të momentit që po mundojnë maturantët pasi nisën në 29 korrik aplikimin për vijimin e studimeve në arsimin e lartë.

Gevio Tabaku studenti që kujton maturën e vitit 2018 ku u përball me dilemat e përzgjedhjes së programeve të studimit, u ka ardhur në ndihmë maturantëve me krijimin e një sistemi online që përllogarit se cilat degë ata mund të fitojnë.

“Kam qenë edhe vetë maturant e kam hasur vështirësi në marrjen e informacionit, kjo gjë më shtyu që të krijoja portalin që të ndihmoja bashkëmoshatarët e mi që të kishin lehtësira në rrugëtimin e tyre drejt universitetit. Mendoj se maturantët janë në dilemë dhe ndihen në udhëkryq për të vendosur degët dhe çfarë degësh mund të fitojnë ndaj sistemi do ju shërbejë për t’u siguruar për zgjedhjet që do të bëjnë”, shprehet ai.

Por si funksionon ky sistem dhe ku mund ta gjejnë maturantët?

“Mjafton që ata të shkojnë te portalistudentor.al në web, këtë mund ta hapin edhe nga telefoni dhe të klikojnë ‘gjej universitetin’. Do të hapet faqja ku ju kërkohet mesatarja e gjimnazit edhe mesatarja e provimeve të maturës . më pas maturantët duhet të shtypin butonin merr rezultatet dhe këtu afishohen të gjitha degët e mundshme që ata mund të fitojnë në universitete të ndryshme të vendit”, shton më tej.

Top Channel