Policia e Lezhës godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë.
Pas një hetimi 3-javor, forcat e policisë bënë të mundur parandalimin dhe goditjen e një tjetër rasti të tentativës për prodhim dhe trafikim të minave me telekomandë për shpërthim në distancë.
Në kuadër të hetimit, në Fushë-Milot, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Miloti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Besnik Osmanaj, 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e Osmanaj janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, një thikë që plotëson kushtet e armës së ftohtë, 1000 euro dhe aparate celularë.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Top Channel