Arsenal blindon mbrojtjen, firmos me mbrojtësin e talentuar anglez

30/07/2021 18:52

Arsenali vijon të jetë aktiv në merkato, teksa ka kompletuar transferimin në Londër të qendër-mbrojtësit 23-vjeçar Beniamin William White, për kartonin e të cilit pagoi plot 50 milionë paundë në arkat e klubit të Brightonit.

I njohur ndryshe si Ben White, qendër-mbrojtësi është rritur në akademinë e Brightonit dhe në sezonin 2019-2020 luajti në huazim te Leeds United, ku u rrit ndjeshëm nën urdhrat e Marselo Bielsës dhe ishte një ndër protagonistët e rikthimit të skuadrës në Premier League.

Shtatorin e kaluar White u rikthyer sërish te Brighton dhe rinovoi kontratën deri në verën e 2024-ës, ndërsa gjatë sezonit që sapo u mbyll luajti titullar në 36 ndeshje, duke u shpallur edhe futbollisti më i mirë i sezonit në skuadrën e drejtuar nga Graham Potter.

Paraqitjet e mira të White nuk kaluan pa rënë në sy as të trajnerit Gareth Southgate, që e grumbulloi futbollistin për të qenë pjesë e listës përfundimtare të 26 futbollistëve me të cilët “tre luanët” u përfaqësuan në Euro 2020.

Afrimi i White te Arsenali vjen në një moment kur “topçinjtë” kanë ndërprerë bashkëpunimin me mbrojtësin brazilian David Luiz dhe anglezi 23-vjeçar do të duhet të formojë dyshen para portës së Leno, bashkë me brazilianin tjetër Gabriel Magalhaes, i cili erdhi në Londër një vit më parë.

Ndërkohë po sa i përket repartit të mbrojtjes, londinezët siguruan pak ditë më parë edhe shërbimet e portugezit 21-vjeçar Nuno Tavares, për kartonin e të cilit paguan rreth 10 milionë euro në arkat e klubit të Benficës.

Top Channel