Akuzat e Petro Koçit/ Flet kreu i Kadastrës: Politika të rrijë larg! Bujrum SPAK, i kam çuar edhe vetë dosje për hetim

30/07/2021 21:19

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame ka folur nga Patosi për akuzat e Petro Koçit në Fier. Para disa ditësh, me anë të një postimi në rrjete sociale, Koci tha se trafikantët e drogës po pastrojnë paratë përmes dhunës dhe kërcënimeve duke pastruar paratë e tyre me taksat e qytetarëve të Fierit.

Lame kërkon që politika mos përfshihet me punët e Kadastrës në Fier dhe kudo, por të merret me drejtimin dhe vizionin. Ai thotë se vetë po çon dosje me probleme për hetim të mëtejshëm, teksa i bën thirrje Prokurorisë dhe SPAK të ndihmojë Kadastrën.

Lame: Politika të rrijë larg këtij procesi. Politika të merret me vizionin, drejtimin, komandanti i anijes të komandojë anijen. Ai që ndez dhe mban motorin të punojë që është Kadastra në rastin konkret, le të na lërë të bëjmë punën tonë. Po ngatërruam rolet, anija nuk do të ecë ose do shkojë të përplaset diku. Politika le të rrijë larg këtyre proceseve. Unë vetë si Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës kam çuar dhe po coj dosje për hetim të mëtejshëm me një arsyetim të thjeshtë. Ka dy kategori dosjes, e para mitmarrja, futja e dorës në xhepin e tjetrit dhe e dyta janë problematikat për shitblerje të dyshimta. Kjo kërkon më tepër kohë dhe më e rëndësishme për tu bërë. Bujrum kush të dojë, prokurori apo SPAK të na ndihmojë në këtë proces.

Kreu i Kadastrës ishte në Patos në kuadër të vazhdimit të procesit të ndarjes së certifikatave të pronësisë për qytetarët që i kanë përfituar ato në bazë të ligjit 7501. Ky është një proces që po vijon në të gjithë vendin ndërsa thirrja e kreut të Kadastrës është që qytetarët të aplikojnë pranë zyrave të Adisa për tu bërë pronarë të tokës së tyre.

 

Top Channel