Policia njofton se janë kapur dhe vënë nën pranga dy autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Garunjas të Lushnjës, ku mbeti i vrarë një 30-vjeçar.
Afrim Hasalla dhe Mario Hasalla janë vënë nën pranga, ndërkohë që është ende në kërkim Kastriot Hasalla.
“Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë është bërë arrestimi i tyre për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Një konflikt i hershëm midis kushërinjve Hasalla për një sipërfaqe toke ka përfunduar në një tragjedi.
Romeo Hasalla 30-vjeç humbi jetën, ndërsa u plagosën i ati i tij, Shaip Hasalla 65 vjeç dhe 2 vëllezërit Emiljano Hasalla e Laert Hasalla.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte, rreth orës 6 e 30, kur Shaip Hasalla, Emiliano Hasalla, Laert Hasalla, Romeo Hasalla janë konfliktuar me kushërinjtë e tyre Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla.
Prej disa vitesh, të dyja palët kanë qenë në një konflikt për një sipërfaqe toke.
Disa ditë më parë midis tyre ka patur një konflikt verbal, ndërsa mëngjesin e sotëm u përdoren edhe armët. Romeo Hasalla ka shkuar bashkë me vëllezërit dhe babanë për të frezuar tokën, por në këtë moment kushuriri i tyre, Kastriot Hasalla tentoi t’i ndalojë dhe qëlloi me armë gjahu.
Top Channel