Tre anëtarët e trupit gjykueses të kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj, janë përplasur me vëzhguesin ndërkombëtar të ONM, Teo Jacobs, për “ofendime” në punë.
Në një letër drejtuar kryetares së KPK, tre anëtarët e trupës gjykuese, Olsi Komici, Roland Ilia si dhe Suela Zhegu, shkruajnë se dënojnë sjelljen e vëzhguesit Jacobs në seancën dëgjimore gjatë procesit të vettingut, ku pati debate të forta mes tij dhe drejtueses së prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Gjatë kësaj seance, e cila zgjati për rreth 8 orë, Jacobs ngriti dyshime se Imeraj ka përgjuar dhe vëzhguar kolegun e tij, Hans Kijlstra tashmë të larguar nga ONM.
Në letrën e klasifikuar konfidenciale, anëtarët e trupës gjykuese shprehen se janë ndjerë të keqardhur dhe të ofenduar nga sjellja joprofesionale, fyese dhe paragjykuese si dhe në tejkalim të çdo kompetence nga vëzhguesi ndërkombëtar.
“Qëndrimet paragjykues, fyerjet e shpeshta na kanë bërë që të ndihemi jo komod dhe nën presion. Me qëndrimin e tij dhe presionin e ushtruar nga vëzhguesi në mënyrë të përsëritur ka dashur qartazi të influencojë vendimmarrjen.
Kjo sjellje bie ndesh me frymën e deritanishme të bashkëpunimit midis Komisionit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.” thuhet ndër të tjera në letrën konfidenciale.
Top Channel