Një 42-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi po transportonte 12 emigrantë të paligjshëm, më makinën e tij.

Sirianët e kishin paguar Ervin Qemalin që t’i çonte në Kosovë e më pas të udhëtonin në mënyrë të jashtëligjshme drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor “BYPASS”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni i Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Sektorin e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë.

Vihet në pranga 1 shtetas që u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Sektorin e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë, pas informacioneve të marra në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan operacion policor të koduar “BYPASS”, në kuadër të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
E. Q., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Policisë, në afërsi të “Rrethrrotullimit të Orikumit”, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 12 emigrantë të paligjshëm (sirianë), kundrejt shpërblimit monetar, drejt qytetit të Tiranës, me qëllim kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Top Channel