Lushnjë, vret kushëririn për tokën/ E qëllon me armë gjahu, policia në kërkim të autorit

29/07/2021 12:13

Një konflikt i hershëm midis kushërinjve Hasalla për një sipërfaqe toke ka përfunduar në një tragjedi.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte në fshatin Garunjas të bashkisë Lushnjë rreth orës 6 e 30 ku Shaip Hasalla, Emiliano Hasalla, Laert Hasalla, Romeo Hasalla janë konfliktuar me kushërinjtë e tyre Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla.

Prej disa vitesh, të dyja palët kanë qenë në një konflikt për një sipërfaqe toke.

Disa ditë më parë midis tyre ka patur një konflikt verbal, ndërsa mëngjesin e sotëm u përdoren edhe armët. Romeo Hasalla ka shkuar bashkë me vëllezërit dhe babanë për të frezuar tokën, por në këtë moment kushuriri i tyre, Kastriot Hasalla tentoi t’i ndalojë dhe qëlloi me armë gjahu.

Plumbat kapen Romeo Hasalla, i cili humbi jetën në spital ndërsa janë plagosur babi me dy djemtë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, autori është larguar, në zonën kanë ardhur forca të shumta të policisë së Lushnjës dhe FNSH nga Fieri, ku po bëhet kontrolli i zonës për kapjen e autorit. Viktima Romeo Hasalla

Top Channel