Policia Rrugore vijon me kontrollet intensive në rrugët urbane dhe interurbane në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ka një paralajmërim shumë të qartë për të gjithë drejtuesit e mjeteve:
“Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep, se kudo ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike”.
Sipas njoftimit të bërë nga policia mësohet se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Po ashtu, janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 31 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 187 km/h në Bypass-in e Fierit, në sensin e lëvizjes Fier – Vlorë ) dhe 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur (deri në 1.06 mg/l).
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1898 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht:
224 për parakalime të gabuara, 212 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 200 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit, 205 për shpejtësi tej normave të lejuara e sjellje agresive në rrugë etj.
Në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve intensive, nisur edhe nga fakti se në shumë raste aksidentesh janë përfshirë edhe drejtues të motoçikletave, janë evidentuar dhe ndëshkuar 187 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.
659 drejtues mjetesh për parkime të gabuara, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të këmbësorëve.
Në fund të këtij njoftimi, policia rrugore ka një apel për të gjithë shoferët: Të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
Top Channel