Inceneratori i Fierit reagon për djegien e plehrave: Bashkia nuk sjell mbetjet prej 1 viti. E lajmëruam që në prill 2020

29/07/2021 18:58

Inceneratori i Fierit bën me dije se kanë nisur punën prej gati një viti duke vënë në dijeni bashkinë dhe Ministrinë e Mjedisit. Ndër të tjera sqaron se Bashkia e Fierit nuk çon mbetjet pavarësisht se është njoftuar që në muajin prill të vitit 2020.

Kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier ka reaguar për lajmet se qyteti ndodhet në situatë alarmante për shkak të zjarrit që ka përfshirë vendgrumbullimin e vjetër të plehrave.

Kompania që ka marrë përsipër të ndërtojë inceneratorin e Fierin sqaron se nuk është fajtore për këtë situatë duke thënë se akuzat janë të pabaza, ndikojnë në dezinformimin e publikut dhe janë në dëm të së vërtetës.

Në një deklaratë për media, shoqëria sqaron  se Impianti i Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier është një vepër e përfunduar brenda afateve të parashikuara në kontratën konçesionare dhe është ndërtuar me standartet më të larta të Bashkimit  Evropian. Landfilli ka qenë gati që prej datës 7 maj 2020 për të pritur depozitimin e mbetjeve urbane të gjeneruara nga pastrimi i territorit të Bashkisë Fier, por  dhe Njësive të tjera Administrative të Qarkut Fier.

Por sipas kompanisë, institucionet nuk kanë reaguar dhe nuk i kanë dërguar mbetjet urbane në Landfillin e ri.

“Shoqëria “Integrated Technology WasteTreatment Fier” sh.p.k ka nënshkruar në dt.24/10/2016 kontratën konçesionare me Nr.5553/5 prot. “Për Ndërtimin e Administrimin e Impjantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier dhe Prodhimin e Energjisë” me autoritet kontraktues Ministrinë e Mjedisit (kaluar në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë).

Në dt 07/05/2020 Shoqëria i është drejtuar me shkresën zyrtare me Nr.Prot. 27 Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkisë Fier ku njofton, se vend-depozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu Shoqëria nëpërmjet kësaj shkrese njofton, se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Në dt. 07/05/2021 shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” i është drejtuar sërish këtyre dy institucioneve, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkisë Fier referuar njoftimit me Nr.Prot.27 dt. 07/05/2020 duke bërë me dije se Landfilli është gati për të pritur depozitimin e mbetjeve urbane të gjeneruara nga pastrimi i territorit të Bashkisë Fier, por  dhe Njësive të tjera Administrative të Qarkut Fier”, thuhet në njoftim.

FOTO GALERI
1/19

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA