Fieri vazhdon të digjet, zjarrfikëset në luftë me flakët, shkrumbohen qindra rrënjë ullinj e pemë frutore

29/07/2021 18:40

Vazhdojnë zjarret në zonën e Cakranit në Fier. Raportohet se vetëm pak minuta më parë një vatër e re zjarri është regjistruar në fshatin Vjosë.

Zjarrfikësit e Patosit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe janë ‘në luftë’ për shuarjen e flakëve.

Situata paraqitet e rëndë edhe për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta që fryjnë në kodra, çka vështirësojnë edhe punën e zjarrfikësve.

Flakët kanë shkrumbuar qindra rrënjë ullinj, pemë frutore edhe shkurre.

Kujtojmë se prej disa ditësh zjarrfikësit nga Fier, Patosi dhe Roskoveci po mundohen që ta fikin flakën në fushën e mbetjeve në Mbrostar, por sasia e madhe e plastikës që është depozituar në këtë landfill, e bën pothuajse të pamundur punën për fikjen e tij, ndërkohë që tymi vazhdon të mbajë të mbërthyer qytetin e Fierit.

Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve, shkaktoi katastrofë mjedisore në qytet.

Qyteti i Fierit është mbuluar nga retë toksike të tymit që del nga fusha e mbetjeve urbane fare pranë qytetit.

Edhe pse koha është e mirë dhe me diell, rrezet e tij bllokohen nga reja e tymit të mbetjeve urbane.
Pamjet e filmuara nga ajri tregojnë madhësinë dhe rrezikshmërinë që po paraqet kjo re toksike për banorët e Fierit dhe zonave përreth.

Në situatë më të vështire janë shtëpitë dhe bizneset që ndodhen pranë kësaj zone. Në këto banesa është pothuajse e pamundur që të qëndrosh për shkak se tymi është i padurueshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA