Debati për trajnerin e Çaljas/ Sportisti: Fjalët dashakeqe. Toska: Mungova për shkak të pandemisë

29/07/2021 19:31

Mungesa e medaljes për Briken Caljen në paraqitjen e tij historike në Olimpiadën e Tokios ju adresua edhe mungesës së trajnerit të tij Gerald Toska në këtë aktivitet.

Po çfarë ndodhi realisht në Tokio, përse në vend të Toskës ishte presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjoza? Briken Calja sqaron më tepër për Top Channel së bashku me trajnerin e tij Gerald Toska.

Briken Calja: Kërkesën për trajnerin e kam bërë vetë sepse askush nuk ka të drejtë të zgjedh trajnerin për mua në këtë aktivitet. Ne gjetëm një mirëkuptim me trajnerin tim dhe për këtë garë bashkëpunova me presidentin si ish-trajner si ish-sportist dhe për këtë nuk kam pasur asnjë pengesë dhe nuk kam asnjë pendesë. Kjo pjesa e të përfolurit të trajnerit është thjesht dashakeqe.

Gerald Toska: Mungesa ime në lojërat olimpike nuk është se ne nuk donim të iknim, apo nuk donte komitetit olimpik, apo federata që të na merrte, por situata pandemike bëri që personeli që do të shkonte në lojërat olimpike të ishte i kufizuar.

Po a ndikoi në garën e tij, në gabimin e pikës më të fortë të Caljes, stilin e shkëputjes, mungesa e trajnerit?

Gerald Toska: Ne kemi qëndruar në komunikim online në whatssapp, gjatë gjithë kohës deri sa vendosëm që të dilnim në ato konkluzione. Edhe unë nëse do të isha atje ato vendime do të merrja. Këto gjëra gjykohen nga pas shumë thjesht, por rezultati i Brikenit atje është historik.

Briken Calja: I vetmi problem në stilin e shkëputjes jam unë dhe askush tjetër. Këto aludime janë të qëllimshme dhe dashakeqe. Unë kam 5 vite që punoj me Geraldin dhe Vaninin dhe ata janë një dyshe shumë e mirë që dua t’i falënderoj dhe të gjithë duhet t’i respektojnë për këtë rezultat që unë rrita.

Top Channel