Çekiçi bashkohet me Cikalleshin, firmos për dy sezone me Konyaspor

29/07/2021 21:18

Endri Çekiçi mbetet në Superligën Turke. Fantazisti i Kombëtares Shqiptare është transferuar në klubin e Konyasporit, ku ka firmosur një kontratë dy vjeçare, me opsionin për rinovimin edhe për një vit të tretë.

Fantazisti 25-vjeçar nga Pogradeci kreu vizitat mjekësore, hodhi firmën mbi kontratën e re dhe bëri edhe prezantimin zyrtar në klubin që ka një shqiponjë dy-krenare në flamur, ndaj nuk mungoi edhe një foto me simbolin e shqiponjës.

Në prezantimin zyrtar, klubi i Konyaspor thekson se Çekiçi është një futbollist që luan qoftë si sulmues krahu, qoftë si fantazist dhe ka zgjedhur që të mbajë mbi shpinë fanellën me numrin 23.

Futbollisti 25-vjeçar ka një eksperiencë të konsiderueshme, pasi më herët ka luajtur për Dinamon e Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci, ndërsa më pas u transferua te sllovenët e Olimpija Ljubjana, ku ka bërë edhe sezonin më të mirë të karrierës.

Vitin e kaluar Çekiçi ishte pjesë e Ankaragucu në Superligën turke dhe arriti të shënojë dy gola e të japë dy asiste, por nuk ndihmoi klubin e tij që të mbijetojë. Vlen të theksohet se te Konyaspor Çekiçi do të gjejë shokun e tij të Kombëtares, Sokol Cikalleshi, i cili është pjesë e klubit që prej verës së kaluar.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA