Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev priti homologun nga Shqipëria Edi Rama dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal.
Mbi 300 kompani nga të tre vendet por edhe shtete të tjera te rajonit janë pjesëmarrëse. I dërguari i Top Channel në Shkup, Muhamed Veliu ka mësuar disa detaje gjatë një interviste të shkurtër me kryeministrin Edi Rama.
Rama bëri me dije se do të ndryshohet emri i ri i nismës që deri më sot e njohim si minishengeni, por është kontestuar deri tani nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk ka marrë pjesë në asnjë takim. Për këtë emër kanë qenë skeptikë edhe Bosnja e Mali i Zi pasi disa herë i janë bashkuar tryezave të mëparshme.
Veliu: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga forumi i ditës së nesërme?
Rama: Janë disa vendime, marrëveshje për tu nënshkruar, është dhe një Forum Ekonomik me komunitetin e biznesit dhe vazhdojmë punën.
Veliu: Përse do t’ia ndryshoni emrin kësaj inciative të Shengenit?
Rama: Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prap me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë.
Veliu: Jeni i keqardhur se Albin Kurti nuk është nesër me ju?
Rama: Nuk kam koment për këtë.
Top Channel