Anija e lashtë romake e mbushur me qypa vere zbulohet në ujërat e Siçilisë (fotot)

28/07/2021 18:36
Pamje te zbulimit te fundit ne ishullin e Sicilise

Robotët nënujorë kanë sjellë fotot e një anijeje të fundosur romake dhe të ngarkesës së saj me qypa, që datojnë prej shekullit të 2-të p.e.s.

Mjeti i lashtë i epokës romake është zbuluar në ujërat mesdhetare pranë Palermos.

Anija kishte mbetur në thellësinë 92 metra pranë ishullit ‘Isola delle Femmine’, dhe nga imazhet e marra duket se mbante një ngarkesë të konsiderueshme me qypa vere.

“Deti Mesdhe vazhdon të na japë elementë të çmuar të rindërtimit të historisë sonë, të lidhur me tregtinë detare, me tipet e anijeve të lashta dhe transportin e kryer prej tyre”, tha drejtuesja e çështjeve detare për rajonin e Siçilisë, organizatore e ekspeditës.

Zbulimi përshkruhej nga autoritetet si eventi më i rëndësishëm arkeologjik i viteve të fundit.

Disa javë më parë arkeologët siçilianë zbuluan një tjetër rrënojë; një anije romake rreth 70 thellë në ujërat e ishullit Ustica. Edhe ajo anije mbante një ngarkesë qypash me verë nga shekulli  dytë p.e.s.

Zbulimet hedhin dritë mbi aktivitetin tregtar të romakëve në detin Mesdhe, ku ata tregtonin erëza, verë, ullinj e produkte të tjera drejt Afrikës së Veriut, Spanjës, Francës e Lindjes së Mesme.

Një anije thuajse e paprekur romake të shekullit të dytë u zbulua në 2013 në brigjet e Genoa, e cila përmbante rreth 50 qypa të çmuar, në rreth 50 metra thellësi.

Në atë rast, policisë iu dhanë informatat pas hetimeve mbi vepra lashtësie të gjetur në dyqanet ilegale të antikitetit. Në këto të fundit qindra objekte të lashta sekuestrohen rregullisht nga policia italiane.

Në qershor autoritetet italiane sekuestruan nga një koleksionist belg qindra objekte italiane antikiteti të shekullit të gjashtë p.e.s. me një vlerë të raportuar prej €11milionë.

Rreth 800 objektet e sekuestruara konsideroheshin “me vlera të rralla të pallogaritshme”, dhe përfshinin pllakata të skalitura guri (stelae), qypa e sende të tjera, që vinin nga gërmimet në rajonin e Puglias. Koleksionisti i tyre është në pritje të gjyqit. /The Guardian, pergatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
Zbulimi jep elementë të çmuar të rindërtimit të historisë të lidhur me tregtinë detare

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA