Shqiptarët në Tokio 2020/ Notari Kledi Kadiu u rendit i 52. Olt Kondirolli në vendin e 64

27/07/2021 16:18

E marta ishte dita e konkurrimit të notarëve shqiptarë.

Për  delegacionin kuqezi ai që bëri paraqitjen e tij ishte Kledi Kadiu që garoi në garën e 100m, stil i lirë por pa mundur të kualifikohej për në gjysmëfinale. Notari shqiptar ishte në baterinë 3 të kualifikueseve të kësaj gare dhe u rendit në vendin e pestë  në këtë bateri me kohën 51.65 sekonda.

Në renditjen e përgjithshme, Kledi Kadiu u pozicionua në vendin e 52 nga 71 pjesëmarrës në këtë garë. Po kështu, bëri debutimin e tij në këto Lojëra Olimpike edhe notari 18 vjeçar nga Kosova, Olt Kondirolli, edhe ky garoi në garën e 100m stil i lirë.

Kondirolli ishte në baterinë e parë ku u rendit i dyti me 54.33 sekonda, ndërkohë që në renditjen e përgjithshme u pozicionua në vendin e 64. Në 30 korrik do të garojë një tjetër notare shqiptare, Nikol Merizaj që do të marrë pjesë në 50 m stil i lirë ku ajo do të jetë në baterinë 6 të kualifikueseve

Top Channel