Teksa palestinezët vuajnë mangësi të rënda furnizimi me ujë në verën e nxehtë, kolonitë ilegale izraelite kanë sasi të pakufizuara uji, jo vetëm për të pirë por për të mbushur pishinat, të ujisin të mbjellat apo të lajnë makinat e tyre, shkruan reportazhi i rrjetit të Katarit, Al Jaseera.
Depozitat bardhë e zi shihen kudo të ngritura mbi shtëpitë e palestinezëve në Bregun Perëndimor, të cilat mbushen para se rubinetët të mbeten pa ujë, nganjëherë per disa javë rresht.
Në kontrast me këtë, rrallë shihen depozita të tilla në kolonitë e reja fqinje, pasi atje uji nuk ka asnjëherë ndërprerje.
Autoritetet izraelite refuzojnë të japin liçenca per autoritetet palestineze të ujit për të vepruar në zonat që ata klasifikojnë si “C”, apo ato nën kontrollin administrativ izraelit, qoftë për shpimin e puseve ose vendosjen e pompave të shpërndarjes.
Izraeli kontrollon 85 përqind të burimeve të ujit në Bregun Perëndimor, ndërsa për pjesën tjetër ata vendosin si shpërndahet, thonë zyrtarët palestinezë për Al Jazeera. Ndërkohë autoritetet palestineze kërkojnë liçenca për të shpuar puse të tjera në Bregun Perëndimor për të plotësuar nevojën e madhe për ujë.
Adel Yassin, drejtor i planifikimit në autoritetin e ujit, tha se kompania izraelite e ujit Mekorot që furnizon territoret e pushtuara palestineze, kontrollon 42 puse uji, 34 prej të cilave janë brenda luginës së lumit Jordan.
“Problemi nuk është mungesa e ujit por kontrollimi i ujit tonë nga pushtuesi,” thotë Yassin.
“Ne kërkojmë të shpojmë puse të reja në Bregun Perëndimor për të rritur sasinë e burimeve, dhe qe ato të mos jenë nën kontrollin izraelit, sepse uji është një nevojë bazë e stabilitetit dhe çlirimit, çdo shtet pa ujë është një shtet pa sovranitet”.
‘Një herë në 15 ditë’
Kohët e fundit Autoriteti Palestinez ka kërkuar që Izraeli të shtojë sasinë e ujit që shet në Palestinë. Izraeli është përgjigjur se nuk ka infrastrukturën e gatshme për rritjen e furnizimit, por nga ana tjetër, ofroi rritje të sasisë në këmbim të pagesave më të larta.
“Që prej vetës 2018 deri tani, ka fshatra që marrin ujë vetëm një herë në 15 ditë. Këtë verë kemi vuajtur nga një krizë më madhe uji se sezonet e tjera”, thotë Bassam Saëalhi, inxhinieri i kompanise së ujit të Jerusalem, e cila merr ujin nga Izraelit dhe menaxhon furnizimet për rreth 400,000 palestinezë në 56 komunitete.
Por masa e konsumit ditor është rreth 60,000-65,000 metër kub ujë në muajt e nxehtë të verës në Palestinë, kurse në dispozicion janë vetëm 53,000 metër kub ujë në ditë.
“Popullata palestineze në Jerusalem e Ramallah është shtuar vazhdimisht, dhe kërkesa për ujë është rritur,” thotë Sawalhi.
Këtë vit kompania izraelite Mekorot ka reduktuar furnizimin me ujë në 35,000 metër kub në ditë nga 38,000 metër kub.
“Diferenca ditore prej 3,000 metër kub është transferuar të kolonitë e reja izraelite rreth Ramallah, të cilat nuk duan t’ia dinë se Ramallah ka etje. E rëndësishme është që vetëm kolonitë e reja të kenë ujin e nevojshëm,” thotë Sawalhi për Al Jazeera.
“Ky është uji jonë, që ata e vjedhin e na e shesin,” shton ai.
Top Channel