Alarmi pas aksidentit në Kroaci/ Në Kosovë kërkohet rishikimi i ligjeve për kompanitë e transportit

27/07/2021 19:52

Aksidenti i ndodhur në Kroaci nga kompania kosovare, ka ngritur alarmin e institucioneve vendore mbi plotësimin e kritereve të punës nga kompanitë e transportit të udhëtarëve.

Si rrjedhojë, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë parë si emergjente rishikimin e ligjeve në fuqi dhe inspektimin e kompanive për të parë nëse i plotësojnë kushtet për të dalë në komunikacion.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj e vlerësoi si fat në fatkeqësi faktin se aksidenti ka ndodhur në Kroaci, sipas së cilës po të ndodhte në Kosovë numri i viktimave do të ishte më i lartë shkak i sistemit emergjent joefikas.
Përveç në Kroaci, në të kaluarën kompanitë kosovare kanë pasur edhe 3 aksidente të tjera tragjike.

Në vitin 2002, 10 persona humbën jetën nga rrëzimi i autobusit derisa ishin duke u kthyer nga pushimet nga Ulqini për në Kosovë, dy vjet më pas, 15 maturantë vdiqën gjatë kthimit nga ekskursioni në Shqipëri dhe në vitin 2010, gjashtë qytetarë vdiqën nga aksidenti në Vjenë gjatë rrugën për në Gjermani.

Top Channel