Linjës së brendshme të udhëtarëve në Tiranë do ti shtohen 20 autobusët e parë hibridë dhe elektrikë “Go Green”.
20 autobusët e parë “Go Green” mbërritën sot në sheshin “Nënë Tereza”. Bashkia e Tiranës thotë se brenda muajit gusht do të futen në qarkullim, ndërsa investimi do të kompletohet gradualisht edhe me 22 mjete të tjera.
“E kam pritur me shumë ëndje këtë ditë. Kam përshtypjen se ashtu si unë, e kanë pritur edhe shumë qytetarë që thonë: kur do vijë dita që të kemi transport të gjelbër, që nuk ndot mjedisin, i denjë me hapin që po ndjek qyteti dhe me mënyrën se si po avancon. Sot hedhim një hap të paprecedentë dhe ndoshta jemi të parët në rajonin tonë me një flotë të gjelbër, diçka që kemi premtuar dhe më vjen mirë që e bëjmë realitet. Është një proces i modernizimit të transportit publik të Tiranës, të nisur që nga koha e Edi Ramës, i lënë pezull 4 vite, dhe sot falë një pune titanike është bërë realitet”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inkurajojë qytetarët të përdorin transportin publik.
“Por është zgjedhje personale që për distanca të vogla, dikush merr vendimin të ecë në këmbë ose të marrë autobusin, apo të përdorë biçikletën. Sot jemi në një situatë që ndotja është bërë temë kryesore. Nuk ishte kështu dikur. Por teksa pamë çfarë ndodh kur ka thatësirë, me përmbytjet, tërmetet, pandeminë, teksa pamë çfarë ndodhi edhe në Gjermani, kjo linjë sot është edhe një lloj paqeje që kemi me natyrën”.
Autobusët e rinj ekologjikë vijnë në kuadër të një marrëveshjeje ndërqeveritare të nënshkruar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë për financimin e projektit “Transporti i Gjelbër i Tiranës”.
Top Channel