Partitë në pushtet LSDM dhe BDI në Maqedoninë e Veriut do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi mes kreut të socialdemokratëve Zoran Zaev dhe atij të BDI-së Ali Ahmeti.Të dy partnerët e koalicionit qeveritar ranë dakord që partitë e tyre të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale të vjeshtës, me mbështetje të ndërsjellë në disa komuna që në raundin e parë, ndërsa në disa të tjera në raundin e dytë.

“Kisha takim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. U morëm vesh që LSDM-ja dhe BDI-ja të marrim pjesë bashkë në zgjedhjet lokale”, tha lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev, i cituar nga DW. Kryeministri theksoi se qëllimi i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së është që në bashkëpunimin parazgjedhor të afrohen sa më shumë parti nga koalicioni qeverisës.”Në vijim janë procedurat për zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, ata do të jenë personalitete të cilët guxojnë dhe të cilët janë të përgatitur të japin rezultatin më të mirë për qytetarët në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje”, u shpreh Zaev.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, e ka komentuar koalicionin parazgjedhor të shpallur në mes BDI-së dhe LSDM-së për zgjedhjet lokale duke thënë se lideri i BDI-së Ahmeti siç duket është i frikësuar nga partia opozitare, pasi që nuk pranoi sfidën e saj që në zgjedhjet lokale të dalin pa koalicione dhe pa u mbështetur tek votat e partive maqedonase. “Përfundimisht Ali Ahmeti nuk e pranoi sfidën që të dalim ballë për ballë në zgjedhjet lokale. Ne nga njëra anë dhe ai me partitë shqiptare në anën tjetër. Sic duket ka frikë”, tha Sela.

Top Channel